"Margaritarët"

“Kur një njeri udhëton i vetëm ai është i heshtur, kur dy udhëtojnë ata grinden, në qoftë se janë tre ata do të këndojnë.”

Aktiviteti i këtij grupi ngërthen një periudhë afërsisht njëzetvjeçare, një përvojë të jashtëzakonshme artistike, një histori të ngjeshur me shumë paraqitje skenike, një biografi të pasur dhe një të kaluar nëpër koordinata të ndryshme gjeografike.

Margaritarët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në emancipimin e jetës kulturore dhe artistike jo vetëm në Maqedoni por edhe më gjerë sepse në mënyrë shumë të natyrshme kanë luftuar krimin muzikor dhe në vend të tij kanë promovuar këngën e mirëfilltë popullore. Ky mesazh është përcjell në çdo vend, në çdo rast dhe në çdo skenë.

Bagazhi muzikor i këtij grupi të njohur dallohet për tematikën e pasur, për larminë e shumëllojshmërinë e saj, për variantet e shumta melodike, për figuracionin e pafund ritmik dhe mënyrat e interpretimit. Janë pikërisht këto cilësi që e ngrenë më lartë bukurinë e artit tingullor.

Po të ndodhesh në mesin e “Margaritarëve” do të bëhesh më i pasur në kuptimin shpirtëror, emocionalisht i plotësuar dhe estetikisht i formësuar sepse ky grup muzikor, për më tepër se dy dekada frymon si një manifakturë e përsosur tingullore.

Tingëllimi i ngrohtë dhe mjaft tërheqës i ka bërë “Margaritarët” të afërt me publikun duke i dhënë atij kënaqësi të veçantë estetike.

Skenat më të preferuara janë ceremonitë e dasmave, festat familjare dhe ditët festive ku përmes vargjeve dhe melodive shpalosen copëza nga repertori i pasur dhe i larmishëm.

“Ai që mendon se mund të jetojë pa të tjerët gënjehet, kurse ai që mendon se të tjerët nuk mund të jetojnë pa të, gënjehet edhe më shumë“, është një thënie nga Benxhamin Frenklini të cilën ky grup e ka kuptuar shumë qartë andaj duke funksionuar mbi bazat e bashkëpunimit, mirëkuptimit, tolerancës dhe profesionalizmit ka arritur të krijojë jo vetëm emrin por edhe identitetin muzikor.

Në njëzet e ca vitet e jetës kulturore dhe artistike, grupi muzikor “Margaritarët” ka gdhendur me germa të arta veprën e tij si monument i gjallë i vlerave etnokulturore.